Platforma Akses në Financë
është krijuar për t’u shërbyer Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shqiptare, të cilat duan të zgjerojnë dhe investojnë në aktivitetin e tyre duke përfituar nga mundësitë financiare që tregu ofron, me grante, kredi apo nisma të tjera financuese. Kjo platformë online do të ofrojë një shërbim “one-stop-shop” me informacione që lidhen drejtpërdrejt me aksesin në financë për NVM-të, i cili ofrohet nga institucione, organizata apo kompani të ndryshme private dhe publike, kombëtare e ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të mbështesë Qeverinë Shqiptare në krijimin dhe zbatimin e politikave dhe masave mbështetëse për NVM-të, për të zbutur ndikimin negativ ekonomik të COVID-19. Masat konkrete, të mbështetura përmes këtij projekti, do të synojnë digjitalizimin e NVM-ve si një mjet efektiv për përshtatjen dhe rikuperimin e krizës pandemike.
Informacioni i përditësuar, mbi thirrje të ndryshme për aplikime nga NVM-të shqiptare, do të mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA (www.aida.gov.al), si përfituese direkte e mbështetjes nga BERZH në këtë projekt.
Misioni i AIDA-s, në kuadër të mbështetjes së NVM-ve shqiptare, është të nxisë aftësinë konkurruese të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shqiptare, nëpërmjet shërbimeve në ndihmë të biznesit vendas, nëpërmjet rritjes së aftësisë konkurruese të NVM-ve shqiptare dhe zhvillimin e tyre, nxitjes së rinovimit, progresit teknologjik dhe shkëmbimeve të informacionit; duke i bërë ato më tërheqëse për tregun e huaj; mbështetjes ndaj sipërmarrësve shqiptarë dhe partnerëve të huaj që dëshirojnë të hyjnë në partneritet me kompani shqiptare nëpërmjet shërbimeve kryesore, siç është: dhënia e granteve të Qeverisë Shqiptare, identifikimi i tregjeve ose partnerëve të rinj për eksport, nevojat për trajnim dhe për certifikim produkti, lehtësimin e pjesëmarrjes në panaire kombëtare/ndërkombëtare, si dhe mbështetje nëpërmjet projekteve të ndryshme me donatorë vendas dhe të huaj.
Ndërtimi i platformës Akses në Financë
është bërë i mundur me rekomandimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH. Brenda Kornizës së Përgjigjes së Shpejtë Këshilluese, si dhe në mënyrë që të mbështesë mobilizimin e shpejtë dhe shpërndarjen me kosto efektive, BERZH ka siguruar mbështetje afatshkurtër për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA.